Kalo te përmbajtja
I mesëm1 min leximPa matematikë

Pse dollari ka rëndësi edhe nëse s’keni asnjë

Pjesa më e madhe e tregtisë botërore faturohet në dollarë, prandaj forca e tij i prek çmimet shumë larg Amerikës.

Monedha e faturës

Nafta, gazi, bakri, gruri dhe pjesa më e madhe e tregtisë ndërkombëtare çmohen në dollarë, edhe kur as blerësi as shitësi nuk janë amerikanë.

Prandaj një dollar më i fortë e shtrenjton naftën në euro, edhe nëse çmimi në dollarë nuk ka luajtur fare.

Kjo është rruga e parë përmes së cilës një vendim i Rezervës Federale ia ndryshon faturën e energjisë një familjeje në Evropë.

Borxhi në dollarë

Shumë qeveri dhe kompani në ekonomitë në zhvillim marrin hua në dollarë sepse dalin më lirë. Por të ardhurat i kanë në monedhën e vendit.

Kur dollari forcohet, ai borxh rëndohet pa u rritur asnjë cent. Kjo është arsyeja që përsëritet në krizat e tregjeve në zhvillim.

Prandaj një cikël shtrëngimi në Uashington u sjell telashe vendeve që s’kanë asnjë lidhje me ekonominë amerikane.

Çfarë e lëviz vetë dollarin

Faktori kryesor janë normat në krahasim me njëra-tjetrën. Nëse normat amerikane rriten e ato evropiane jo, paratë shkojnë kah kthimi më i lartë dhe dollari forcohet.

Faktori i dytë është frika. Në kriza, investitorët ikin kah asetet që i quajnë më të sigurta, e kjo do të thotë obligacione amerikane — pra dollarë.

Prandaj dollari shpesh forcohet pikërisht atëherë kur lajmet janë të këqija kudo, edhe në vetë Amerikën.

Termat kyçe të këtij mësimi

Monedhë rezervë
Monedhë që e mbajnë bankat qendrore dhe në të cilën faturohet tregtia botërore.
Kurs këmbimi
Sa vlen një monedhë, e shprehur në një tjetër.
Strehë e sigurt
Aset kah i cili ikin paratë kur rritet frika, si obligacionet amerikane ose ari.

Kontroll i shpejtë

Çmimi i naftës në dollarë nuk ndryshon, por dollari forcohet për 10%. Çka ndodh me faturën në euro?

Përparimi ruhet vetëm në këtë pajisje.