Kalo te përmbajtja
Fillestar2 min leximPa matematikë

Njëqind eurot tuaja të para

Çka duhet vendosur para se ta shtypni “bli” për herë të parë, sipas radhës së duhur.

Rendi që ka rëndësi

Para investimit vijnë tri gjëra: borxhi i shtrenjtë i shlyer, një rezervë emergjence e ndërtuar dhe një afat i qartë për paratë që mbesin.

Borxhi me interes të lartë është investimi më i mirë i garantuar që do ta gjeni. Shlyerja e një karte krediti me 18% është kthim prej 18% pa asnjë rrezik. Atë nuk ta premton dot asnjë aksion.

Vetëm kur këto tri janë në rregull, pyetja “çka të blej” bëhet e dobishme. Para tyre është vetëm shpërqendrim.

Pse i pari duhet të jetë i mërzitshëm

Investimi i parë ka një detyrë që s’ka lidhje me kthimin: t’ju mësojë si është të mbash diçka që luan, pa ju shkatërruar nëse e ndieni rëndë.

Prandaj një fond i gjerë e i lirë indeksor është pikënisja e zakonshme. Jo se sjell më shumë fitim, por se gabimet që mund t’i bëni me të janë të vogla dhe të riparueshme.

Aksionet një nga një, kriptomonedhat dhe produktet me levë mund të vijnë më vonë, kur ta keni një bazë dhe një ide të qartë se sa jeni gati të humbni.

Gabimet që bëjnë të gjithë

I pari është shikimi i çmimit çdo ditë. Kjo nuk ndryshon asgjë, veç e rrit mundësinë që të veproni në panik. Një portofol afatgjatë nuk ka nevojë të shihet më shumë se disa herë në vit.

I dyti është vrapimi pas asaj që sapo u rrit shumë. Kur diçka është nëpër të gjitha titujt, çmimi tashmë e ka brenda atë vëmendje.

I treti është ndërrimi i planit sa herë që ndërron humori. Një plan mesatar i ndjekur dhjetë vjet mund të japë më shumë se një plan i shkëlqyer i braktisur pas gjashtë muajsh.

Rendi i veprimeve

HapiÇfarë bëniPse i pari
1Shlyeni borxhin e shtrenjtëKthim i garantuar, pa rrezik
2Ndërtoni rezervënJu ruan nga shitja në panik
3Investoni pjesën e mbeturVetëm paratë që nuk ju duhen për vite

Termat kyçe të këtij mësimi

Shpërndarje asetesh
Si i ndani paratë nëpër lloje të investimeve. Vendimi që e shpjegon pjesën më të madhe të rezultatit tuaj.
Toleranca ndaj rrezikut
Sa rënie mund ta duroni pa e ndërruar planin. Matet me sjellje, jo me dëshirë.
Portofol
Gjithçka që e keni, e parë si një e tërë e vetme.

Kontroll i shpejtë

Keni një kartë krediti me 18% interes dhe 1.000 € për t’i investuar. Cila është zgjedhja më e mirë?

Përparimi ruhet vetëm në këtë pajisje.